← Blog

Mbi “Ëndrra e një njeriu qesharak” të Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit

Vepra “Ëndrra e një njeriu qesharak” e Dostojevskit është një rrëfim i shkurtër fantastik, i cili për herë të parë u botua në prill të vitit 1877 brenda përmbledhjes “Ditari i një shkrimtari”. Teksti, i cili hapet me rrëfyesin nga Sank-Peterburgu që gjatë tërë veprës monologon mbi tema të ndryshme nga perspektiva e Un-it, e fillon preokupimin e tij të madh me fjalinë: “Unë jam një njeri qesharak”. Nga ky pozicion tërësisht subjektiv, personazhi me brengat e tij (Epimeleia Heauton) do të vazhdojë gjendjen e tij ekzistenciale deri te përpjekja për vetëshuarjen e jetës, meqë tashmë për të asgjë nuk ka kuptim. Në rrjedhën e ngjarjeve, pikërisht tre nëntori do të jetë një datë shënjuese për rrëfyesin, pra për personazhin-karakter, njeriun qesharak, e cila e bën të vlefshëm rrëfimin e tij dhe që, në sinkronizim me të, bëhet edhe shkaku i marrjes së guximit për të vrarë veten (momenti i përndritjes). Në këtë punim do të përpiqem të analizoj dhe të interpretoj nga këndvështrimi filozofik përpjekjet e tij, ndërsa nga prizmi psiko-semantik të arsyetoj gjendjen e tij ekzistenciale si moment vegues e “çlirues”. Po ashtu, do të trajtoj shtrirjen e ideve filozofike të Dostojevskit përmes letërsisë dhe figurave të paraqitura në tekst, e konkretisht për “përmbajtjen e ëndrrës” si një stad tjetër ontologjik që ndërlidhet me ekzistencën. Për këtë do të shërbehem me teoritë bashkëkohore si referencë, veçanërisht nga Markus Gabrieli (Markus Gabriel) në veprën e tij “Neo-ekzistencializmi”.

I çmendur, sepse e njeh të vërtetën

Rrëfimi i Dostojevskit fillon me fjalitë e personazhit-karakter: “Unë jam një njeri qesharak. Tashmë po më quajnë edhe të çmendur”. Nga kjo premisë e personazhit, i cili këtë përmbajtje e ka të rrënjosur thellë në psikologjinë e tij, saqë fillon edhe t'u besojë njëmend atyre përcaktimeve, siç e dëfton më pas me fjalitë: “Atëherë u palosja shumë që dukesha se isha një njeri qesharak. Ose, thënë më mirë, s'jam dukur, kam qenë”, ai e beson këtë fakt të kryer nga ideja e vetëdijshme se ky etiketim që i është veshur nga të tjerët vjen si pasojë e dëshirës së tij për dije, njohje dhe shkencë. Kjo triadë interesash e tij nuk kishte gjetur hapësirë empatie dhe kuptimi te të tjerët. Kuptojmë se edhe vetë personazhi-karakter me lehtësinë më të madhe i afirmon vetes etikën e “njeriut qesharak” përballë të tjerëve, sikur ky cilësim të vinte nga një burim njerëzish të paditur, për të cilët duhet të kesh keqardhje dhe mëshirë për katandisjen e tyre të ultë. Fjalia: “Unë do të qeshja vetë së bashku me ta, jo aq për dashurinë që kam për ta, po të mos më merzitej zemra kur i shikoj”, tregon qartë për një stepje modeste nga përpjekja për ta bindur tjetrin drejt të vërtetës. Personazhi-karakter (njeriu qesharak) në këtë rast është i bindur thellë se e njeh të vërtetën, një të vërtetë e cila, sipas tekstit, është e paqasshme për të tjerët, e cila edhe njeriut qesharak i ka veshur këtë gjendje dhe e shoqëron atë në preokupimet e tij për botën. Në këto kontura, psikologjia e personazhit është e reduktuar në mbrojtje, natyra e së cilës ka karakter “kuetist”[^1]. Qetësia që e kishte kapluar nga përmbajtja e asaj të vërtete kishte mbetur jo vetëm si domosdoshmëri, por e kishte rikthyer njeriun qesharak në dyshimet e tij mbi veten dhe në mëshirën për të tjerët. “Çmenduria” e tij konsiston pikërisht në faktin se të tjerët idetë e tij i definojnë nën tutelën e së pamundurës, ideores, fantastikes dhe imagjinares, për të cilët ky ndjen vetëm mëshirë dhe dhimbje. Këtë e dëshmon fjalia: “Jam i mërzitur sepse ata nuk e njohin të vërtetën, por unë e njoh të vërtetën. Ah, çfarë ndjenje ndrydhëse është të jesh i vetmi i cili e njeh të vërtetën! Por ata nuk duan të kuptojnë. Jo, nuk duan të kuptojnë”. Sigurisht, në formën se si është shtruar tashmë problemi, kërkohet në mënyrë urgjente të njihet se për çfarë të vërtete bëhet fjalë, me të vetmen arsye që e gjithë semantika psikologjike e personazhit të mos bjerrë nën kthetrat e burgosjes në përmbajtje të mbyllura psikiatrike. Në këtë kontekst, nga paradigma teorike e Fukosë (Michel Foucault), duhet të gjykohen “normalët” përballë atyre që ata i quajnë të “çmendur”. Siç thotë ai vetë: “Njerëzit e dinë se çfarë po bëjnë; shpesh ata e dinë pse bëjnë atë që bëjnë; por ajo që ata nuk dinë, është se çfarë bën veprimi i tyre”[^2]. Këtu allasoj nuk bëhet fjalë drejtpërdrejt për ndonjë ide apo mendim që nuk ka potencë korresponduese me realitetin, por se sa është e mundur që një ide e transformuar në veprim të shkaktojë rrjedha kuptimesh që duhet t'i nënshtrohen një arsyeje praktike (Phronesis)[^3]. Në këtë rrafsh, “normalët”, nga pamundësia e operimit me kontemplime ideore që mendohen nga një kornizë kauzale apriori, mohojnë çdo gjë që prek tavanin e tyre. Përkundrazi, “të çmendurit”, në rastin tonë njeriu qesharak, brengosen thellë për ta, sepse janë të prerë e të kornizuar nga dogma dhe nuk mund të njohin kurrë një të vërtetë më të madhe (apo të ndryshme) se e vërteta e pjekur, e cila nuk është asgjë përpos asaj që ata jetojnë. Në raportin e njeriut qesharak me “të tjerët” shihet qartë përballja në kufirin mes dijes dhe së çmendurës. Në këtë rast, “e çmendura” që merr konotimin nominal transformohet në “qesharaken”. Ndër domenet e rëndësishme që përvijojnë këtë dallim, dhe jo vetëm, mund të jetë fajtor për demarkimin e kësaj, por edhe zotues i përmbajtjeve të tyre të përveçme: Pushteti. “Duhet të heqësh dorë gjithashtu nga një traditë e të menduarit që udhëhiqet nga ideja se dija mund të ekzistojë vetëm aty ku ekuilibri i fuqisë është i pezulluar, se dija mund të zhvillohet vetëm jashtë komandave, kërkesave dhe interesave të pushtetit. Ndoshta njeriu duhet të heqë dorë nga besimi se pushteti të çmend dhe se vetëm duke hequr dorë nga pushteti mund të bëhet njeri i ditur”[^4]. Në rastin e njeriut qesharak kemi të bëjmë pikërisht me këtë raport. Në ditët e rinise së tij, gjatë studimeve universitare, e gjithë jeta e tij studimore kulmonte sipas tij kështu: “Sa më shumë që mësoja, aq më shumë e mekoja veten si qesharak”. Duket të jetë një formulim i pervertuar i devizës antike të Sokratit: “Unë e di se s'di asgjë”. Në njërën anë pushteti diskursiv prodhonte një “dije” të tipit Asylum ignorantiae[^5], ndërsa në anën tjetër vullneti i subjektit për njohje bazohej në argumente dhe fakte, përmes së cilës ngrihej subjekti në stadin e origjinales dhe autentikes për nga vlera, gjë që në rastin e njeriut qesharak nuk ngjan e tillë.

Brenga për veten (Epimeleia Heauton) si rikthim te vetvetja

“A ekziston apo nuk ekziston bota, e ndjej se për mua është e njëjta gjë”. Në konceptin e “Brengës mbi veten”, që si shënjim ka një lloj rikthimi tek subjekti që prodhon për veten, kujdeset dhe brengoset për të, tek njeriu qesharak gjejmë një “brengë të modifikuar”. Duket sikur njeriun qesharak nuk ka gjë që mund ta shpëtojë nga nihilizmi, nuk ka gjë që mund ta shpëtojë nga dëshira për t'u kujdesur për veten, për t'u marrë me të apo për ta trajtuar më mirë. Nihilizmin nuk e gjejmë si reagim, por si gjendje të tij brenda së cilës i kuptojmë sjelljet e tij; ajo nuk duket se ka qëllim të bëjë shtëpi. Shpesh e gjejmë edhe në një huti të hatashme: “Në fillim m'u dukej gjithnjë se së paku përpara kishte shumë gjëra, por pastaj ia qëllova që edhe atëherë nuk kishte pasur asgjë, por për disa arsye mua thjesht ashtu më dukej. Në përgjithësi arrita të bindesha se kurrë nuk ka pasur asgjë”. Ndjenjën e tij të barasvlefshme se sikur të ekzistonin njerëzit, sikur jo, nuk kishte ndonjë rëndësi, e shohim si rrjedhojë e kërkesave të brendshme për të vërtetën. Në raport me të tjerët, kjo mori trajtën e një dimensioni të mohuar, demarkimi i së cilës rezultoi te njeriu qesharak si një parëndësi, ku pyetjet e vështira që i silleshin nëpër mend largoheshin të tëra nga qarku i fytyrës së tij. Brenga e tij tashmë ishte bërë antibrengë: “Po qe se shpirtësia do të definohej si ndonjë formë e praktikës që presupozon se subjekti, ashtu siç është, është i paaftë për të vërtetën, por se e vërteta, ashtu siç është, është e aftë ta vërë në pah subjektin dhe ta shpëtojë, atëherë theksojmë se epoka moderne e raporteve mes subjektit dhe të vërtetës filloi atë ditë kur kemi presupozuar se subjekti, ashtu siç është, është i aftë për të vërtetën, por e vërteta, ashtu siç është, nuk mund ta shpëtojë më subjektin”[^6]. Rikthimi tek vetvetja shfaqet si kushtëzim i parikthyeshëm mes të vërtetës dhe subjektit, a fortiori për njeriun qesharak. E vërteta mbi subjektin (njeriun qesharak) e determinon edhe të vërtetën e subjektit për qasjen e njëmendtë në shpirtësinë e tij, që kishte humbur besimin. Momentet kur e vërteta shfaqet si: “Dhe ja, pas këtyre ngjarjeve e njoha të vërtetën; e njoha të vërtetën nëntorin e kaluar, saktësisht më tre nëntor, dhe që nga ajo ditë më kujtohet çdo fije e jetës sime”. Kjo ndjenjë tek personazhi i Dostojevskit prodhon një lloj ekzaltimi, një pikë kënaqësie që manifestohet në një lloj urrejtjeje, por e shfaqur përmes figurave: “Kishte rënë shi gjithë ditën, një shi shumë i ftohtë, i shëmtuar, madje, siç më kujtohet, një shi i ashpër me armiqësi të hapur ndaj njerëzve”. Këtu shohim një përpjekje rehabilituese te njeriu qesharak, një anti-moment, një përjetim urrejtjeje ndaj një fenomeni natyror, një personifikim nga diçka që s'është vetja e tij, një e jashtme që luan rolin e së brendshmes dhe që rikthehet si pasoje te e brendshmja, e cila duhej të ishte shkaku i asaj pasoje. Në anën tjetër, shohim momentin kur njeriu qesharak, rrugës për në banesën e tij me qira, i afrohet një vajze të vogël me fustan, e cila e kap për manteli, e tërheq dhe e thërret: “Mamaja ime, mamaja ime!”. Ai i bërtet të ikë, të zhduket, me ton tirani, pa fije zemre e mëshire, pa asnjë lloj empatie. Por siç thoshte ai vetë: “Për mua asgjë s'ka rëndësi”. Megjithatë, gjatë monologut të tij, teksa e përplaste nga njëra anë gjendja e tij e errët e e pashpresë, nga ana tjetër e godiste çekiçi i vetëdijes mbi dhimbjen që përjetonte. Si retroaktivitet kujtese, sjelljet e tij bizare ndaj vajzës së vogël dhe ndjenja e mëshirës që vijoi ia kujtonin kohën kur jo gjithçka ishte e parëndësishme për të, kohën kur ai ishte i gjallë dhe jetonte. Reflektime të tipit: “E kisha të qartë se nësë jam njeri dhe nuk jam ende një zero, nëse ende jetoja, rrjedhimisht isha në gjendje të vuaja, të mërzitesha me veten dhe mbi veprimet e mia të ndieja turp”. Në shqyrtimet në të cilat e kishte futur veten njeriu qesharak gjatë monologut, shohim një qasje tërësisht solipsiste. Mos-dashja e ndjenjës së dhimbjes për sjelljet ndaj vajzës dhe bota si habitat ekzistues kishin relacion vetëm në kokën e tij: “Por nëse unë, për shembull, pas dy orësh do të vendosja të vrisja veten, çfarë do të kisha të bëja me atë vajzë të vogël dhe pse duhej të preokupohesha për ndjenjën e turpit ndaj saj e në përgjithësi me gjithë botën? Unë do të shndërrohem në një zero, në një zero absolute. A nuk duhej që vetëdija se së shpejti do të ndaloja së ekzistuari të kishte efektin që ndjenjën e mëshirës ndaj vajzës dhe turpin për poshtërsinë e kryer t'i anulonte?”. A nuk na e thërret mes rreshtash njeriu qesharak fjalinë: “Bota është përfaqësimi im”[^7], ku gjithçka ekziston në kokën dhe shpirtin tim? Me shuarjen e vetëdijes sime përfundon gjithçka, jeta dhe bota. Në këtë rast, njeriun qesharak e preokupon edhe parafytyrimi si një stad i veçantë onto-metafizik. Vetëm ideja e vetëvrasjes, pa u përkthyer në akt të kryer, duhej t'ia shuante të gjitha këto ndjenja marrëzie, meqë si pasojë nuk do të jetonte më me to e nuk do t'i mbante si barrë për ta projektuar jetën e tij me tutje. Anti-brenga e tij, që rezulton me vetëvrasje, na del të jetë një modifikim brenge që fshihet nën ndjenjat e pakontrolluara përballë mosdëshirës për ta pranuar atë. Pas momentit vegues rrugës për në banesë, disa çaste para se t'i afrohej vajza e vogël, kur ngriti kokën në qiell dhe pa një yll, lind bindja e madhe se duhej të vetëvriteshin: “Edhe një revole të bukur e kam blerë, pavarësisht varfërisë sime”. Edhe pse revolen e kishte blerë para dy muajsh, momenti i përndritjes ishte njësimi me natyrën, me yllin që si shenjë pohimi shkaktoi verdiktin përfundimtar për jetën e tij. Monologu i tij thellohej në projektimin moral të marrjes së përgjegjësisë përballë idesë së fundme, që ngre diskutime të natyrës eskatologjike: Po nëse njëmend e dimë fundin e diçkaje, fundin e botës, jetës, të vërtetës — atëherë cili është qëllimi i procesimit dhe vazhdimit të saj? “Bota ishte tashmë e vetme dhe veç për mua e bërë; nëse do të vrisja veten, kështu do të ndalte edhe bota së ekzistuari, së paku për mua. Për të mos e thënë fare këtë pjesën se ndoshta njëmend pas vdekjes sime për askënd të mos ketë asgjë, dhe bota, sapo të shuhej vetëdija ime, sikurse një vizion, sikurse një atribut i pastër i vetëdijes sime të shuhej me të e të zhdukej, se ndoshta e tërë bota dhe të gjithë ata njerëz ishin vetëm vetja ime”. Ëndrra, realiteti i ri

“Ëndërroj, prandaj ekzistoj”[^8] do të ishte definimi i qëlluar dhe fundamenti i një shfaqjeje shkëlqyese drite, që vë në pah qenien, kohën dhe hapësirën ku bën banim qenia (Dasein-i) e njeriut qesharak. Në dilemën se a duhet të qëllojë në zemër apo në kokë për vetëvrasjen e tij, ai zgjedh zemrën. Kjo dilemë u zgjidh vetëm në ëndërr: disa minuta para se të vriste veten, i lodhur e i ngopur, ra në gjumë. “Realiteti” i ri në të cilin u zgjua nuk ishte faktikisht i ri; ishte pikërisht çasti kur me revolen e tij po përjetonte dilemën. Megjithatë, punën që s'mund ta bënte në realitetin e “vjetër” e bëri në ëndërr. Pasi vdiq në ëndërr dhe teksa e shihte veten duke e dërguar me arkivol në banesën e fundit, lopatë pas lopate duke i mbuluar gropën, i erdhi një krijesë jo mirë e definuar — një bashkëudhëtar që do ta dërgonte diku. Dostojevski nuk kujdeset shumë ta përshkruajë krijesën; roli i tij ishte ai i një Karoni (Charon)[^9] që njeriun qesharak e nxori nga varri dhe e mori me vete drejt hapësirës, drejt një planeti tjetër. Tentativat e njeriut qesharak për të biseduar me të dështuan; ai nuk kishte qëllim dialogu e as mesazhi. Teksa i afroheshin një ylli, një meteori e në fund një planeti, njeriu qesharak në habinë e tij donte të dinte nëse kjo ishte Toka. “E dija se ky nuk mund të ishte dielli ynë nga i cili lindi toka jonë dhe se ne ishim në një distancë të pafundme nga dielli ynë, por disi e dija me gjithë qenien time se ky ishte saktësisht i njëjti diell, një ripërsëritje, një sozi me atë tonin”. Ende pa mbërritur në tokën e re, njeriu qesharak, i magjepsur nga universi, filloi të prodhonte ndjenja të reja që në fakt ishin të vjetra, por të harruara: “Një ndjenjë e këndshme, e lumtur rrëmbimi më mbushi shpirtin: fuqia farefisnore e dritës, e së vetës dritë që më kishte lindur, gjeti jehonën e saj në zemrën time dhe e zgjoi atë në një jetë të re, dhe që nga varrimi im e ndjeva për herë të parë brenda meje jetën, jetën e dikurshme”. Në shqyrtimet e tij të fundit, teksa gjithçka i kristalizohej, kontinentet, oqeanet, e dikur edhe kufijtë e Evropës, për një moment shpërtheu një ndjenjë e çuditshme xhelozie në zemrën e tij: “Si ka mundësi të ekzistojë një përsëritje e tillë dhe pse? Unë e dua vetëm atë botë prej të cilës jam larguar, mbi të cilën më mbetën spërkatjet e gjakut kur e shuajta jetën time me mosmirënjohje, me një të shtëna në zemër: dhe unë mund ta dua vetëm atë. Asnjëherë nuk kam pushuar së dashuruari atë; madje atë natë kur u ndava prej saj, e desha me më shumë torturë se kurrë. A ka edhe tortura në këtë tokë të re? Në tokën tonë ne mund të duam vetëm me torturë dhe vetëm përmes torturës; ne nuk dimë të duam në ndonjë mënyrë tjetër dhe nuk dimë asnjë dashuri tjetër. Unë kam nevojë për torturë për të dashuruar”. Sikur kishin mbetur mbetjet e fundit të një gjeneze të thellë përjetimi për të cilat njeriu qesharak nuk ka qenë mjaftueshëm i vetëdijshëm, e për të cilat rikthehet tek e mira që është e mbyllur në errësirë. Ku ka shumë dritë, ka edhe errësirë të fuqishme[^10]. Kjo shpërfaqet si përjetim vetërrëfyes i çastit përndritës që në realitetin e panjohur prodhon ankth, frikë e trishtim. Ballafaqimi me të panjohurën nxit aktin e rikthimit tek e njohura; madje edhe në humbjen e jetës së tij, ai pranon ndjenjën e mosmirënjohjes ndaj tokës së vet, dëshira për të vrarë veten është mosmirënjohje ndaj botës që i ka prodhuar botëkuptimin, por për të cilën ajo nuk mban faj. Në tokën e re, njeriu qesharak mbeti i hamendur e i habitur teksa i pa të gjithë njerëzit që jetonin të lumtur, të hareshëm, të pabrengë e të paprishur. Në mesin e tyre ai ndjehej i lumtur, u tregonte adhurimin që kishte për atë tokë, të cilën e puthi në gjunjë, sepse ata e donin njeriun qesharak ashtu si veten e tyre. “E puthja tokën para syve të tyre, të cilën ata e banonin, dhe u tregoja pa asnjë fjalë adhurimin tim të madh. Ata më shihnin dhe e lejonin të ndodhte kjo që bëja, dhe nuk turpëroheshin, sepse edhe mua më donin aq shumë”. Copëzat e atij dheu i puthte njeriu qesharak sikur të ishte i vetmi moment në jetë kur e gjithë qesharakësia e qenies së tij merrej seriozisht. Fëmijët ishin fëmijët e të gjithëve; dashuria ishte fuqia dhe burimi që lëvizte gjithçka. Gjithçka ishte e paktë, gjithçka ishte siç duhet të jetë. Ndjenjën e lumtur të ekzistencës njeriu e arrin në dy gjendje: në ëndërr dhe në dehje[^11], si dy realitete që zanafillën e kanë nga gjendja e brendshme e subjektit, i cili vihet në lëvizje të drejtpërdrejtë me realitetin objektiv. Njeriu qesharak, i tronditur nga kjo mirësi e mungesë dinakërie, e pyeste veten: “Si bëhej që tërë kohën ata, një njeri si unë, nuk e lëndonin dhe asnjëherë nuk zgjuan ndonjë ndjenjë xhelozie apo zilie?”. Në botën e re, ku njeriu qesharak hamendësohej me natyrën e re njerëzore dhe me harmoninë që u rridhte në gjak, duket sikur s'kishte një tjetër të tipit garues që thyente një Unë të përveçëm e specifik. Sikur një Unë transcendental ishte i injektuar në gjithsecilin në mënyrë programore.

Realiteti, vetëm një ëndërr

“A mundet zemra ime e imët dhe mendja ime kapriçoze e pavlerë të fluturojnë drejt një zbulimi të tillë të së vërtetës? Oh, gjykoni vetë: e kam mbajtur sekret deri tani, por tani dua të thëm të vërtetën. Puna është se unë... i kam prishur të gjithë!”. Në botën e re, në parajsën njerëzore, njeriu qesharak kishte kryer mëkatin e mëkateve. Ai i kishte prishur të gjithë: “Ata mësuan të gënjejnë, e deshën gënjeshtrën dhe e njohën bukurinë e saj”. Kështu, si me lojë, me koketëri e shaka, me një atom të vogël kishte filluar gjithçka. E ajo gënjeshtër-atom depërtoi aq thellë në zemrat e tyre, saqë krijoi ndjenjën e xhelozisë, e xhelozia tmerrin. “Nuk ekzistojnë fenomenet morale, por vetëm interpretime morale të fenomeneve”[^12], kjo do të ishte deviza në të cilën njeriu qesharak e katandisi realitetin e përkryer. Nga një natyrë ku morali, nderi, virtuti e drejtësia ishin gjendje natyrore të njeriut, gjithçka u përmbys. Në atë moment kur gënjeshtra e tradhtia filluan të qarkullojnë në kapilarët e trurit të njeriut, bashkë-lumturia u thye. Raportet e njeriut me njeriun filluan të ndërtohen mbi premisën Homo homini lupus est[^13]. Në luftën e përhershme me njëri-tjetrin, ata kishin harruar se si kishin jetuar dikur; ajo jetë e mëparshme u shndërrua në përrallë. Ata filluan të vuajnë dhe filluan të mendojnë se vetëm te vuajtja ka esencë e kuptim, filluan t'i këndonin këngë vuajtjes. Njeriu qesharak filloi t'i doja ende më shumë këta njerëz kur vuajtja u bë pjesë e kësaj bote. Teksa e mallkonte veten, ai u shtrinte duart drejt tyre, duke e gjykuar veten dhe duke kërkuar ta kryqëzonin. Meqë veten nuk kishte guxim ta vriste, dëshironte që ata ta torturonin për fajin e bërë. Por ata, teksa e dëgjonin, thjesht qeshnin me të dhe e shihnin si gjysmë të çmendur. Epiteti i tij u rikthye sërish: qenia e tij kishte rënë në vendin e vet. “Në mes të natyrës, njeriu është gjithmonë fëmija në vetvete. Ky fëmijë mund të ëndërrojë një herë një ëndërr të vështirë e të frikshme, por kur hap sytë e sheh veten gjithmonë në parajsë”[^14]. Njeriu qesharak i hapi sytë nga ëndrra e tij. Por për të nuk ishte veçse një ëndërr i gjithë ai udhëtim: “Ndoshta ka qenë një ëndërr, por nuk mund të ishte e mundur që e gjitha kjo të mos kishte ndodhur në të vërtetë. E dini, po ju tregoj një sekret: ndoshta e gjitha kjo nuk ka qenë fare ëndërr! Sepse atje ka ndodhur diçka aq tmerrësisht e vërtetë, saqë nuk mund të ëndërrohej e tillë”. Nga dita e re, i rikthyer prej realitetit të ri, njeriu qesharak e kishte shtyrë revolen larg vetes. Tashmë ai do të jetonte si një tellall, si një thënës i të vërtetës, duke u përpjekur të besojë në vlerat e mira njerëzore. “Unë s'mundem e as nuk dua të besoj se e keqja është gjendja normale e njeriut. Të gjithë prapë qeshin me këtë mendimin tim”. Ndonëse do të vazhdojë deri në vdekjen e tij natyrore të besojë se e keqja nuk është gjendja e zakonshme e njeriut, kjo nuk e redukton idenë se përmes një ëndrre jeta e tij ka ndryshuar kahje. Përmbajtja e saj, nga “olimpi” i imagjinatës, reduktohet në një gjendje të vërtetë ekzistenciale. “Asgjë nuk është më shumë e juaja se ëndrrat tuaja, asgjë më shumë se veprat”[^15]. Ëndrra është rruga mbretërore drejt shpirtit tonë[^16], e cila zbulon shtigjet e realitetit tonë; edhe nëse ato nuk janë të vërteta, mund të bëhen të tilla. Ndonëse Dostojevski në këtë novelë na flet për statusin e Ademit dhe Evës në tokën e re, kjo vepër mund të lexohet edhe si një përpjekje për ta rilindur një njeri të ri, një sipërmarrje që, fatkeqësisht, dështoi.

Referencat (Fusnotat) [^1]: Kuetizëm (nga latinishtja quietus – "i qetë"): i referohet një forme të veçantë të misticizmit, teologjisë dhe asketizmit të krishterë që proklamonte qetësinë pasive të shpirtit. [^2]: Foucault, Michel. Wahnsinn und Gesellschaft. Frankfurt am Main: Suhrkamp Verlag, 2015, S. 39. [^3]: Crone, Katja. Über die Seele, Kapitel II: b) Praktische Vernunft. Frankfurt am Main: Suhrkamp Verlag, 2010, S. 39. [^4]: Foucault, Michel. Überwachen und Strafen. Die Geburt des Gefängnisses. Frankfurt am Main: Suhrkamp Verlag, 1976, S. 39. [^5]: Asylum ignorantiae ("Azili i mosdijes"): Strehimi në injorancë apo kërkimi i shpjegimeve që nuk mbështeten në argumente e fakte shkencore, por në diçka të pakuptueshme e të panjohur. [^6]: Foucault, Michel. Hermeneutik des Subjekts. Frankfurt am Main: Suhrkamp Verlag, 2001, S. 37. [^7]: Schopenhauer, Arthur. Bota si vullnet dhe përfaqësim. Tiranë: Plejad, 2009 (Përkth. Dritan Thomolari), fq. 57. [^8]: Kjo devizë nuk duhet të shihet si përpjekje e ligjërimit të ekzistencës në kuptimin Dekartian (Cogito ergo sum) e as në atë Berklian (Esse est percipi), por duhet të lexohet nga prizmi Neo-ekzistencialist (sipas Markus Gabriel), i cili pretendon se gjendjet mbi-materiale (ëndrra, parafytyrimi, fiksionet) kanë të njëjtin status ontologjik/ekzistencial për sa kohë që ndikojnë dhe ndryshojnë mendjen dhe shpirtin e njeriut. [^9]: Karoni (Charon / Χάρων): Në mitologjinë greke dhe romake është barkëtari i nënbotës që transportonte shpirtrat e të vdekurve përtej lumit Akeron/Stiks drejt mbretërisë së Hadit. [^10]: Von Goethe, Johann Wolfgang. Götz von Berlichingen mit der eisernen Hand, 1773 (Akt I, Götz zu Weislingen). [^11]: Nietzsche, Friedrich. Die dionysische Weltanschauung (Nachgelassene Schriften 1870–1873). [^12]: Nietzsche, Friedrich. Përtej së mirës dhe së keqes. Tiranë: Plejad, 2003 (Përkth. Çlirim Mukli). [^13]: Homo homini lupus est ("Njeriu është ujk për njeriun") – shprehje e njohur latine e përdorur gjerësisht nga Thomas Hobbes për të përshkruar gjendjen natyrore të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve. [^14]: Nietzsche, Friedrich. Menschliches, Allzumenschliches. Ein Buch für freie Geister, 1878 (Erster Band, Drittes Hauptstück: Das religiöse Leben). [^15]: Nietzsche, Friedrich. Morgenröte. Gedanken über die moralischen Vorurteile, 1881. [^16]: Freud, Sigmund. Die Traumdeutung, 1899 (Ku ëndrra përshkruhet si Via Regia apo rruga mbretërore drejt së pakohshmes/pavetëdijes).